Softueri i njohur për menaxhimin e fjalëkalimeve, 1Password, njoftoi të mërkurën për një incident sigurie që përfshiu sistemet e tij backend, duke rezultuar në akses të paautorizuar në disa informacione të klientëve. Megjithatë, kompania theksoi se kasafortat digjitale të fjalëkalimeve (password vaults) dhe të dhënat e tjera konfidenciale të klientëve nuk janë aksesuar.
“Megjithëse ndërmorëm hapa të menjëhershëm për të izoluar incidentin, sulmuesi arriti të aksesonte disa nga sistemet tona backend dhe një sasi të kufizuar informacioni mbi llogaritë e një pjese të klientëve tanë, duke përfshirë emrat dhe adresat e emailit”, deklaroi kompania me seli në Toronto.
Kompania bëri të ditur se asnjë përmbajtje e kasafortave digjitale të klientëve, përfshirë fjalëkalimet, të dhënat konfidenciale, çelësat e rikuperimit të llogarive apo çelësat që i mbrojnë ato, nuk është aksesuar ose komprometuar si rezultat i këtij incidenti.
Gjithashtu, kompania deklaroi se klientët nuk kanë nevojë të ndërmarrin ndonjë veprim, por i paralajmëroi ata të tregohen të kujdesshëm ndaj tentativave të papritura të phishing-ut.
Si pjesë e masave për adresimin e incidentit, 1Password ka çaktivizuar llogarinë e komprometuar në GitHub, ka revokuar token-in e vjedhur, ka përforcuar kontrollet e sigurisë në GitHub, CI/CD dhe pajisjet fundore (endpoints), ka rikthyer versionet e pastra të shërbimit të prekur dhe ka zëvendësuar kredencialet e brendshme.
Gjithashtu, si masë parandaluese, kompania ka rritur gjatësinë e kodeve të përdorura në emailet e ftesave dhe të rikuperimit të llogarive, nga gjashtë shifra në dhjetë karaktere.
Si ndodhi sulmi?
Sipas kompanisë, incidenti daton më 19 nëntor 2026, kur filloi hetimi i një aktiviteti të dyshimtë, pasi një sulmues i paidentifikuar kishte arritur të merrte akses në llogarinë korporative të GitHub-it të një punonjësi.
Sulmuesi dyshohet se ka shfrytëzuar këtë llogari për të aksesuar kodin burimor dhe për të injektuar kod keqdashës në shërbimet backend të kompanisë. Kjo i mundësoi shkarkimin e të dhënave administrative të klientëve, duke përfshirë:
* Emrat.
* Adresat e emailit.
* Identifikuesit e llogarive dhe përdoruesve, si dhe datat e krijimit të llogarive dhe të autentikimit të fundit.
* Çelësat publikë (Public Keys).
* Parametrat e protokollit Secure Remote Password (SRP).
* Token-at e përfshirë në disa lidhje të dërguara përmes emailit për ftesa, konfigurim të llogarive dhe rikuperim të tyre.
* Metadata të brendshme jokonfidenciale të llogarive, si identifikuesit numerikë të versioneve dhe skedarëve.
1Password theksoi gjithashtu se token-at e përfshirë në këto lidhje nuk mund të përdoren të vetëm për të marrë akses në llogaritë e klientëve. Për këtë kërkohet autentikimi përmes Single Sign-On (SSO) ose një kod verifikimi me gjashtë shifra, i dërguar në adresën e regjistruar të emailit të përdoruesit.
Megjithatë, kompania konfirmoi se një numër i vogël përdoruesish janë prekur dhe janë njoftuar individualisht.
“Sulmuesi gjithashtu kopjoi kodin burimor nga repository-t private dhe arriti të aksesonte sistemin tonë CI/CD”, deklaroi 1Password.
“Kodi ynë burimor nuk përbën të dhëna të klientëve dhe nuk përmban asnjë informacion sekret të përdoruesve. Incidenti nuk ka ndikim në shërbimet, disponueshmërinë apo sigurinë e produktit 1Password.”
“Të dhënat konfidenciale në kasafortën tuaj digjitale janë të enkriptuara me çelësa që vetëm ju i zotëroni. Për këtë arsye, as ne nuk mund t’i aksesojmë ato dhe as një sulmues që arrin të depërtojë në serverët tanë.”
Ju duk interesant ky artikull? Na ndiqni në Google News, Twitter dhe LinkedIn për të lexuar më shumë përmbajtje ekskluzive që publikojmë.